Bosnja varros 409 viktima të Srebrenicës


Mbetjet mortore të më se 400 viktimave të masakrës së Srebrenicës, do të rivarrosen të enjten.
Dhjetëra mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në ceremoninë mortore, që ngjan në përvjetorin e tetëmbëdhjetë të masakrës së vitit 1995, ku u vranë masovisht mbi 8.000 myslimanë boshnjak, burra dhe fëmijë nga forcat serbe të Bosnjës.
Mbetjet e 5,657 viktimave, të identifikuara përmes testit të ADN-së, pushojnë në qendrën memoriale Potoçari, që kur ka nisur varrosja në këtë vend, raporton “Evropa e Lirë”.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton ka shpreh respekt për viktimat e masakrës së Srebrenicës, 18 vjet pas “gjenocidit të kryer” atje.
“Asnjë fjalë nuk mund ta përshkruaj dhimbjen që ndien një nënë apo babë kur varros fëmijën e vet. Dhe, asnjë fjalë nuk mund të ngushëlloj mendjen e familjeve të viktimave. Megjithatë, ajo çfarë mund të bëjmë ne është që të tregojmë respekt për këto humbje, të refuzojmë mohimin e gjenocidit, dhe si masë konkrete, të mbështesim drejtësinë”, ka thënë Ashton.